“Gjykata duhet të lejojë daljen e Berishës nga masa e arrestit të shtëpisë që të ushtrojë funksionin e tij si kryetar i PD-së dhe deputet i Kuvendit”, kështu është shprehur gazetari Blendi Fevziu në një lidhje direkte për Klan News.

Në lidhje me pozicionin e PD-së në zgjedhjet e 2025-ës, Fevziu ka theksuar se kjo parti politike ka harxhuar 3 vite me probleme të brendshme, gjë që ka krijuar një klimë që është e vështirë të thithë elektoratin gri.

Blendi Fevziu: Berisha e ka konsideruar këtë si një lloj presekutimi politik që i vjen nga Rama. Nga ana tjetër, kemi PS-në që deklaron se Berisha po ndëshkohet se ka qenë deri tani i pandëshkuar. Kjo e ka kufizuar Berishën në aktivitetin e tij si kryetar i PD-së dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë sepse ai sot nuk bën dot fushatë, nuk del dot në seancat e Kuvendit, është i izoluar prej 9 muajsh.

Në mendimin tim, por që unë nuk e njoh procedurën ligjore, Sali Berisha duhet t’i kërkojë gjykatës dhe gjykata duhet të lejojë daljen e tij nga masa e arrestit të shtëpisë në mënyrë që ai të ushtrojë funksionin e tij si kryetar i PD-së dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Më pas, çështja do të gjykohet, gjykimi mund të marrë muaj po mund të marrë edhe vite. Mund të ketë shtyrje, mund të ketë pretendime të palëve dhe derisa të marrë formën e prerë, në intuitën time, mund të shkojë edhe 2 -3 vjet.

Ne duhet të shohim nëse ai do i kërkojë apo jo gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë për të. Ai ka deklaruar javën e kaluar kur i ktheu përgjigje disa pyetjeve që i çuam, ai thoshte që do e vazhdoj të drejtoj fushatën e PD-së në këto rrethana.

PD harxhoi një 3-vjeçar me probleme të brendshme, gjë që krijuan një klimë që është e vështirë të thithë elektoratin gri. Që PD të fitojë zgjedhjet, duhet të ndryshojë diçka në elektoratin gri. Çdo gjë që ka ndodhur këto 3 vite e bën të vështirë një marrëdhënie normale mes PD dhe elektoratit gri.


/tvklan.al