Për herë të parë që nga krijimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në 19 Dhjetor të 2019, në bankën e të akuzuarve do të ulet një ish-Kryeministër. Sali Berisha do të gjykohet për veprën penale të korrupsionit pasiv. Çështja kaloi për gjykim pas rreth 7 muajsh seanca paraprake.
Ishte gjyqtarja Flojera Davishi, e cila vendosi të nisë gjyqin për ish-Kryeministrin, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja e Andia Pustina.
Malltezi i cili ndodhet në masën arrest shtëpie akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Të njëjtat akuza janë edhe për biznesmenin Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja e Andia Pustina akuzohen për pastrim parash.
SPAK e akuzon Berishën se gjatë kohës që ishte Kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Për Prokurorinë e Posaçme, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.
Para shpalljes së vendimit, gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve të Sali Berishës për të shpallur të pavlefshme vendimet e gjyqtares Irena Gjoka.
Ata pretendojnë se ajo ka fshehur një vendim të Gjykatës së Janinës që e ka dënuar atë e për pasojë edhe vendimet e saj nuk janë të vlefshme.
Klan News