Njëri pas tjetrit, fillimisht avokatja Klodiana Gjyzari, e cila përfaqëson interesat e ish-kryeministrit Sali Berisha përballë SPAK, u paraqit në prokurori ku firmosi këtë të mërkurë përfundimin e hetimeve për çështjen “Partizani”.

Ajo gjithashtu tërhoqi një pjesë të akteve të kësaj dosje. Më pas avokati Klodian Skënderi u paraqit për të njëjtën procedurë në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezit.

Përfundimi i hetimeve iu komunikua edhe Andia Pustinës dhe Xhimi Begesë, gjithashtu të vënë nën akuzë nga SPAK.

Të gjitha ata zgjodhën të mos paraqiteshin personalisht.

Tashmë SPAK do të dorëzojë në Gjykatë kërkesën për të gjykuar ish-kryeministrin Sali Berisha për dyshimet se është korruptuar nëpërmjet dhëndrit të tij nga biznesmeni Fatmir Bektashi, për privatizimin e kompleksit “Partizani”.

Akuzat janë mohuar nga Berisha e Malltezi që e konsiderojnë hetimin si jo të plotë, të njëanshëm dhe i motivuar politikisht.

Këto qëndrime, të SPAK dhe të të hetuarve do të përballen për herë të parë në Gjykatë e cila me marrjen e kërkesës për gjykim, brenda 10 ditësh do të caktojë një seancë për vlerësuar hetimet dhe për të vendosur nëse çështja do kaloj në gjykim themeli.

Tv Klan