Stavri Himollari, 62 vjeç, është një banor i Cërrikut. Prej vitesh jetoi në Greqi, derisa një aksident në rrugë, i shkaktoi probleme të shumta fizike. Nga shteti grek mori trajtimin e duhur dhe u klasifikua si invalid i përhershëm.

Prej mëse 1 viti Stavri u rikthye në Shqipëri dhe u interesua për t’u trajtuar me pagesë invaliditeti. Për për shkak se nuk plotësonte vitet e duhura të punës të siguruara, u përjashtua nga ky përfitim dhe kaloi për trajtim në Shërbimin Social Shtetëror.

Ai thotë, se dosja është depozituar në këtë drejtori në Elbasan, por prej 4 muajsh nuk ka asnjë zgjidhje dhe nuk po mundet të përballojë jetesën. Ne iu drejtuam Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Elbasan për dosjen e qytetarit. Drejtoresha thotë, se për shkak të një urdhri nga lart, janë pezulluar shqyrtimet e dosjeve për të gjithë.

Drejtoresha: Ka shumë persona me aftësi të kufizuar, që vijnë dhe interesohen. Urdhri ka fuqi vepruese në nivel kombëtar dhe nuk është rasti për një apo dy pacientë, por është një fenomen në nivel kombëtar.

Ne jemi thjesht zyrë rajonale. Janë zyrat në nivel qendror, që marrin këto vendime, ku ju gjeni edhe përgjigjen, për të gjitha rastet e tilla.

Gazetari: Cilat kanë qenë komunikimet e fundit, që ju si drejtori rajonale keni bërë me institucionet lart jush? Kur do të ketë “zhbllokim” të këtij urdhri? çfarë do të bëhet me këta persona, që realisht, janë në hall kaq të madh dhe të shqetësuar?

Drejtoresha: Mua më lejohet të flas vetëm në formë zyrtare… Zyrtarisht nuk na ka ardhur ende asgjë. Me gojë, flitet, që në shtator fillojnë të komisionohen të gjithë në Tiranë. Nuk është gjë zyrtare…/tvklan.al