DPA-ja ul tarifat e dokumenteve dhe të fotove




DPA-ja ul tarifat e dokumenteve dhe të fotove

17:54 30/06/2022

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) i mundëson tanimë çdo studiuesi, të interesuari dhe qytetari përftimin e riprodhimit të printuar një dokumenti arkivor, për një tarifë prej vetëm 20 lekësh.

Të gjithë hulumtuesit të motivuar nga arsye studimore, do mund të paraqiten në Sallën e Studimit të DPA-së dhe të përzgjedhin materialet që iu volisin me një çmim të reduktuar nga tarifa e mëparshme prej 30 lekësh. Gjithashtu, në sajë të Urdhrit “Për miratimin e tarifave të njehsuara të shërbimit të dokumentacionit në Rrjetin Arkivor Kombëtar në Republikën e Shqipërisë”, studiuesit do mund të marrin në zotërim riprodhimin e skanuar të dokumenteve për një shumë prej vetëm 10 lekësh nga tarifa e dikurshme prej 20 lekësh.

Kësisoj, hulumtuesit mund të bëjnë tyret foto të personaliteteve, vendeve apo të aktiviteteve të ndryshme, të paraqitura në faqen online të Fototekës së Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), me çmim të përgjysmuar. Thënë këtë, fotot me rezolucion deri në 600 dpi dhe që mbajnë logon e institucionit, do të kushtojnë vetëm 500 lekë, prej çmimit të mëparshëm të 1.000 lekëve.

Sipas të njëjtës logjikë, fotot me rezolucion deri në 1200 dpi pa logo dhe me të drejtë publikimi, do të kushtojnë 5.000 prej shumës së dikurshme të 10.000 lekëve. Reduktimi i tarifave do të mbulojë edhe rastet që parashikojnë: dhënien e materialit arkivor filmik për vepra derivate, për përdorim familjar, studimor, muzeor, si edhe për aktivitete kulturore.

Ky hap ndërmerret në kuadër të situatës së vështirë ekonomike të vendit dhe është në vazhdën e përpjekjeve të DPA-së për t’iu ardhur në ndihmë studiuesve. Këto masa i bashkëngjiten synimit të përmirësimit të kushteve të ruajtjes së pasurisë dokumentare.

Aplikimi i tarifës së përgjysmuar vjen në funksion të inkurajimit të hulumtimeve. Në mënyrë të veçantë, ulja e kostos së dokumentit dhe fotos së riprodhuar do të ketë një ndikim të favorshëm për studentët, të cilët kanë nevojë për burime të shumta dokumentare gjatë kryerjes së punimeve të tyre akademike. /tvklan.al











Të ngjashme