Prezantohet Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030, një nga dokumentet më të rëndësishme të viteve të fundit për Arsimin e Lartë, i hartuar nga Ministria e Arsimit, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë.

I pranishëm në këtë prezantim ishte dhe Kryeministri Edi Rama i cili tha se një nga shtyllat e këtij drafti është edhe financimi i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se ky plan reformash garanton autonomi për universitetet, duke i përshtatur ato me nevojat e tregut të punës dhe zhvillimet globale.

“Profilizimi i universiteteve duhet të lidhet edhe më shumë me krijimin e programeve të reja të studimit apo të modaliteteve të reja të studimit. Kjo do të ndihmojë me përgatitjen më të mirë të studentëve në lidhje me tregun e punës dhe rritjen e interesit për aplikimet në këto degë”.

Ekspertja e Bankës Botërore, tha se qeveria ka treguar se ka vullnet për këtë reformë, dhe se pavarësisht arritjeve, sektori i arsimit të lartë, publik dhe privat ka ende shumë punë përpara.

“Të dhënat tregojnë se ata që mbarojnë arsimin e lartë kanë paga më të larta  dhe punësim më të mirë. Të ardhurat janë gati 3-herë më të larta i se sa ata që mbarojnë vetëm gjimnazin. Arsimi i lartë është një akselerator shumë i mirë për ekonominë dhe aftësitë digjitale, ndaj kërkohet angazhimi i të gjithë sektorit”.

Trendi i përzgjedhjes së degëve po ndryshon, interesi i të rinjve është fokusuar më shumë në degët inxhinierike, teknologjinë e informacionit dhe shkencat mjekësore.

Klan News