Bylykbashi: Gati modelet për votimin elektronik

Qeveria tranzitore shihet nga opozita si mekanizmi që garanton zbatimin e paketave ligjore që ekspertët e saj po përmbyllin në kuadër të reformës zgjedhore. Ish-bashkëkryetari i reformës elektorale, Oerd Bylykbashi thotë se propozimet që pritet të jenë gati në fillim të dhjetorit adresojnë shqetësimet e ngritura nga OSBE/ODIHR-i, që nisin nga çështja e kartave të identitetit, manipulimi me listat e zgjedhësve, përdorimi dhe presioni i administratës publike apo keqpërdorimi i burimeve shtetërore.

“Kodi zgjedhor këto i zgjidh por ajo që është qartazi e nevojshme është që të ndërtojmë paketa ligjore që detyrojnë dhe i lidhin duart çdo qeverie dhe praktikisht  këto do ishin mekanizmi i një qeverie teknike në organizimin e zgjedhjeve”, deklaron Bylykbashi .

Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje është një ndër çështjet ku palët parimisht bien dakord. Bylykbashi thotë se janë gati modelet që mbajnë larg procesit komisionerët, ku si variant më i mundshëm shihet ai i kalimit të votës elektronikisht në sistem që shoqërohet edhe me ruajtjen e saj në një kuti votimi. Një garanci më shumë kjo, nëse nga palët do të ketë kontestim për procesin zgjedhor.

 “Aktualisht diskutimi është jo vetëm në planin ligjor por kemi parë edhe modele ekzistuese që mund të bëjnë këtë zgjidhje dhe fazat janë goxha të avancuara në këtë pikë dhe ne po ecim edhe me paketë ligjore në këtë sens”, shprehet ai.

Ndryshe nga maxhoranca, opozita ka një tjetër formulë sa i përket Komisionit Qëndror  të Zgjedhjeve dhe administratës zgjedhore.

“Propozimi që bën sot maxhoranca që bazohet mbi administrimin e politizuar është i pabesueshëm dhe ne kemi propozimet tona sa i përket një administrimi zgjedhor që është i besueshëm por merr parasysh edhe interesin e partive politike dhe të zgjedhjeve pa shkuar në një mekanizëm që është mburoja e qeverisë”.

Por a ka një konsensus me maxhorancën për draftin e saj opozita?

“Askush nuk mund të besojë që një kod zgjedhor i votuar në dhomën e mbyllur të PS e më pas me vulat e çdo lloj shumice që prodhon PS në parlament do ishte i besueshëm për shqiptarët.”

Sistemi zgjedhor, i kërkuar me forcë nga aleatët është një tjetër çështje që nuk mbetet jashtë draftit të opozitës, për të cilën Bylykbashi thotë se do të jetë pjesë e një faze tjetër pasi kërkon një diskutim të nivelit politik dhe kushtetues.

Tv Klan