Kryeministri i ri nis konsultimet për të krijuar mbështetje edhe nga partitë e tjera

Kryeministri italian Mario Draghi do të zhvillojë bisedime me sindikatat dhe shoqatën industrialiste Konfindustria për të parë nëse ka mbështetje të mjaftueshme për të formuar një qeveri të re. Draghi, një ish-shef i Bankës Qendrore Evropiane, do të përfundojë raundin e tij të konsultimeve me partitë politike të shtunën. Pas emërimit të tij, Draghi tha se Italia duhet të shfrytëzojë momentin për t’i dhënë fund krizës ekonomike të krijuar nga pandemia, si dhe ngërçit politik të krijuar në vend.

Deri më tani Partia Demokratike e qendrës së majtë dhe partia e vogël Italia Viva, e udhëhequr nga ish-Kryeministri Matteo Renzi, kanë premtuar mbështetjen e tyre për një qeveri të kryesuar nga Draghi. Partia konservatore e ish-Kryeministrit Silvio Berlusconi ka bërë të ditur se do të mbështesë qeverinë e re të Mario Draghi, por kjo do të ndodhë nëse do të prishë aleancën e saj me partnerët e djathtë, Lidhja dhe Vëllezërit e Italisë.

Mattarella ka deklaruar se një qeveri e re duhet të marrë detyrën menjëherë për të shmangur humbjen e fondit 200 miliardë euro të dhënë nga Bashkimit Evropian i krijuar për të ndihmuar në kapërcimin e rënies ekonomike.

Sipas Tgcom24 do të jetë një qeveri e profilit të lartë që do të ndjekë modelin e ekzekutivit të Ciampi, i cili për herë të parë përjetoi një përzierje politikanësh dhe teknikësh. Mediat italiane bëjnë me dije se Draghi po ndërton një kabinet me të besuarit e tij për çdo ministri.

Fabio Panetta, një anëtar i bordit të Bankës Qendrore Europiane gëzon një vlerësim të madh nga ana e Draghi dhe mund të vendoset për të drejtuar një ministri ekonomike dhe për të luajtur një rol kyç në menaxhimin e planit të rimëkëmbjes dhe të fondeve evropiane. Shëndetësia mbetet thelbësore. Ministri Roberto Speranza beson në një rikonfirmim, por emri i Ilaria Capua, virologe dhe ish-parlamentare, është shumë e popullarizuar.

Klan News