Nis bisedimet, synon të sigurojë mbështetje nga “5 Yjet”

Pas mandatimit nga presidenti për formimin e qeverisë së re në Itali, Mario Draghi ka nisur përpjekjet për të siguruar mbështetjen e partive parlamentare.

Sfida më e vështirë është të bindë Luigi Di Maion, kreun e 5 Yjeve dhe Matteo Salvinin e Lega Nordit, dy grupimeve më të mëdha parlamentare. Janë pikërisht ata më skeptikët për qeverinë e tij të unitetit. Draghi zhvilloi me Di Maion një takim këtë të Enjte, teksa Lëvizja 5 Yjet ende nuk ka një qëndrim të qartë nëse do e mbështesë apo jo qeverinë e tij.

Kjo lëvizje ishte ndër mbështetëset kryesore të ish-Kryeministrit Giuseppe Conte dhe synon vazhdimësinë e qeverisjes së tij. Mbështetje të plotë i kanë dhënë Draghi-t demokratët, partnerët e tjerë të mëdhenj të qeverisë së mëparshme Konte. Veç tyre Draghi mbështetet edhe në votat e ish-kryeministrit Renzi, që u bë shkak për rrëzimin e Conte-s, si dhe të Forca Italia së Silvio Berlusconi-t.

Të sigurtë, Draghi do e kishte qeverinë nëse merrte mbështetjen e 5 Yjeve ose të Lega Nord. Por këta të fundit janë skeptikë për një qeveri të krijuar me këtë konfigurim parlamentar, ndaj priren për të kërkuar zgjedhje të reja të cilat mund t’i fitojnë bindshëm, bazuar tek sondazhet.

Tv Klan