Mund të bëjë betimin të shtunën para Presidentit

Nuk ka asnjë dyshim tashmë se ish-shefi i Bankës Qëndrore Europiane do të jetë Kryeministri i ri i Italisë. Ai ka siguruar mbështetje të gjerë në parlament nga grupimet më të mëdha si Lëvizja 5 Yjet, Lega Nord, demokratët, etj.

73-vjeçari mund të ngjitet në Presidencë për të bërë betimin që të shtunën, teksa mediat vendase shkruajnë se lista e anëtarëve të kabintetit të tij është thuajse gati. Ajo përmban ministra si nga 5 Yjet ashtu edhe nga Lega Nord. Pritet që ish-kreu i 5 Yjeve, Luigi Di Maio të jetë pjesë edhe e kësaj qeverie, ashtu si në qeverinë e mëparshme të Giuseppe Conte.

Sondazhet tregojnë se qeveria e re e Mario Draghit ka besimin më të lartë popullor të viteve të fundit me 62%. Por duket se humbësit më të mëdhenj janë 5 Yjet. Nga forca kryesore politike e kësaj legjislature, anketimet e ditëve të para të Shkurtit i rendisin ata në vendin e 4-t me 14.8%.

Forca e parë është Lega Nord me mbi 23% mbështetje. Pas tyre janë demokratët dhe ekstremistët e djathtë të “Frateli d’Italia”.

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në këtë periudhë, koalicioni i 2018-ës mes Lega Nordit, Frateli d’Italias dhe Forca Italias do të siguronte 46.9% të votës popullore, të mjaftueshme për të formuar një qeveri të së djathtës kundër emigrantëve.

Tv Klan