Gazetarja replika me kreun e Antiterrorit për atësinë e fëmijëve

Gazetarja Fatjona Mejdini zbuloi më shumë për historinë e Floresha Rashës, gruas shqiptare e cila bashkë me 3 fëmijët u shpëtua nga kampi i Al-Hol në Siri. Ajo u nis drejt këtij kampi në 2013-n së bashku me bashkëshortin Diamand Rasha, i cili mbeti i vrarë pak muaj më pas. Floresha, sipas gazetares, u martua më pas me Lavdrim Muhaxherin, me të cilin Mejdini tha se kishte dy prej fëmijëve. Por kreu i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, e kundërshtoi duke thënë se vetëm një prej fëmijëve i përket Muhaxherit, personi që konsiderohej si komandanti i shqiptarëve të ISIS nga Kaçaniku dhe që u vra në 2017-n. Palët replikuan edhe për përmendjen e emrave dhe shfaqjen me figurë të gruas dhe fëmijëve.

Fatjona Mejdini: Floresha Rasha është nisur bashkë me bashkëshortin e saj Diamand Rasha nga Shqipëria në vitin 2013. Vetëm pak muaj pasi kanë shkuar burri i saj, Diamand Rasha, është vrarë me snajper dhe mesa duket fëmija i madh.

Gledis Nano: Jo ai është vrarë më vonë.

Fatjona Mejdini: Në rregull.

Gledis Nano: Por të lutem, vetëm pa emra nëse ka mundësi, sepse duam ta riintegrojmë zonjën

Fatjona Mejdini: Zotëri ju i nxorët me figurë, me emra, e të gjitha, kështu që tani me emra do na i lini ne tani… Zonja është martuar dhe sipas një dokumenti që unë kam, dy fëmijët që zonja ka, i përkasin Lavdrim Muhaxherit.

Gledis Nano: Faleminderit që e thatë dhe që e dini si informacion.

Blendi Fevziu: Lavdrim Muhaxherit që kërcënonte, edhe ai është eliminuar apo jo?

Fatjona Mejdini: Në Qershor të 2017-s është deklaruar i vrarë. Ai konsiderohej si komandanti i shqiptarëve të ISIS nga Kaçaniku.

Blendi Fevziu: Gruaja është rimartuar pas vdekjes së burrit me Lavdrim Muhaxherin?

Fatjona Mejdini: Është rimartuar sipas ligjit të Sheriatit, pas vdekjes së burrit, është detyruar apo është martuar me dëshirë këtë nuk e di. Besohet, sepse vetëm gruaja e deklaron… Dokumenti që unë kam parë, një vetëdeklarim nga kampi në Janar të vitit 2019, gruaja deklaron si atësinë e fëmijëve, të dy fëmijëve që sot janë në Shqipëri, Lavdrim Muhaxherin.

Gledis Nano: Nuk është e vërtetë, e trajton informacionin në mënyrë nga më të ndryshmet. Një nga fëmijët është i atij zotërisë që ju përmendët, tjetri është me baba tjetër.

Fatjona Mejdini: Unë kështu e kam informacionin…

Gledis Nano: Unë prandaj kërkova një mirëkuptim që të mos përmenden emra se me kë ka qenë dhe kush ka qenë… të lutem tani, ne duam ta riintegrojmë dhe prandaj ka ardhur këtu.

Fatjona Mejdini: Jua thashë dhe njëherë, i nxorët aty…

Gledis Nano: Kë nxorëm?

Fatjona Mejdini: I nxorët me fotografi fëmijët…

Gledis Nano: Po nuk ka rëndësi tani me kë ka qenë e martuar kjo dhe kush e ka fëmijën.

Fatjona Mejdini: Kjo ka rëndësi sepse është dramë sociale. Sot vjehrri i saj ka dalë dhe ka thënë unë nuk e pranoj në shtëpi.

Gledis Nano: Po lëre më vjehrrin, se nuk do pyesim vjehrrin ne tani…/tvklan.al