Duhet të ishte një ditë pushimi për nënë e bijë, por fatkeqësisht rezultoi fatale. Një 26-vjeçare shqiptare së bashku me vajzën e saj të vogël ishin futur për t’u larë në det në qytetin Metaponto në Itali.

Por teksa qëndronin të dyja në ujë, ato u ndodhën në vështirësi dhe rrezikuan mbytjen. Në ndihmë të tyre shkoi menjëherë roja i plazhit, duke nxjerrë nga deti nënën dhe vajzën 6-vjeçare.

E gjithë drama ndodhi përpara syve të bashkëshortit të Fatjonës, i cili qëndroi pranë gruas teksa po i jepej ndihma e shpejtë.

Me gjithë përpjekjet, 26-vjeçarja shqiptare nuk mundi të mbijetonte dhe humbi jetën. Viktima është Fatjona Kallmi, e cila jetonte në zonën e Toritto në Bari. Për fat të mirë, vajza 6-vjeçare e Fatjonës shpëtoi dhe u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kohës 26-vjeçarja me vajzën po laheshin në det, bashkëshorti i viktimës po qëndronte në çadër me vajzën tjetër 3-vjeçare.

Dinamika e tragjedisë nuk është e qartë. Policia italiane ka nisur një hetim për këtë ngjarje. Ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së Fatjona Kallmit.

Ngjarja e rëndë preku të gjithë pushuesit që ndodheshin në plazh atë ditë. Në shenjë zie, çadrat dhe shezlonët u mbyllën në zonën përreth. Rreth 1 muaj më parë, në të njëjtin vend humbi jetën një djalë i ri me origjinë nga Kosova./tvklan.al