Oferta e Telekom Serbia për të blerë aksionet e kompanisë shqiptare T-Mobile është drejt dështimit.

Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se edhe pse shoqëria serbe ka bërë ofertën më të lartë pranë Deutche Telekom, shteti shqiptar nuk e mirëpret ardhjen e kësaj kompanie.

Mësohet se ajo që mund të bindë serbët për t’u tërhequr nga gara, është fakti që në rast se kjo shoqëri do të shpallej fituese, asaj nuk i është premtuar qëndrimi si abonentë i institucioneve shtetërore që aktualisht janë klientë të Telekom.

Pothuajse të gjitha ministritë dhe krerët e tyre, pjesa më e madhe e administratës publike e deri te kryeministri i vendit, janë abonentë të kompanisë T-mobile.

E para që do të tërhiqej nga lënia e numrit me prefiksin 068, do të ishte ministria e Mbrojtjes, e cila konsiderohet si një institucion me rëndësi të veçantë strategjike për çështjet e ndërlidhjes dhe komunikimit. Vetë ministrja Olta Xhaçka është kliente e kompanisë Telekom.

Këto qëndrime të qeverisë shqiptare, edhe pse jo zyrtare, mund të bëjnë që Telekom Serbia të tërhiqet nga gara, pavarësisht se ka dorëzuar ofertën më të lartë. Tërheqja e serbëve do t’i linte vendin dy ofertave kompanive bullgare, Vivacom dhe Globul Telenor, ose asaj të manjatit grek Vardi Vardinogiannis, pronar i firmës Motor Oil Hellas.

Zhvillimet në shitjen e kompanisë Telekom Albania pritet të zbardhen ditët në vijim, por me shumë gjasa përpjekja e parë e biznesit serb me shumicë aksionesh shtetërore, për t’u futur në një sektor strategjik në Shqipëri siç është telekomunikacioni, do të dështojë.

Tv Klan