E gjithë industria e bakrit do të jepet me koncesion.

Televizioni Klan ka arritur të sigurojë një dokument të hartuar nga një grup pune në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, i cili ka bërë gati planin se si do të shiten të gjitha rezervat e bakrit përmes formulës së koncesionit, ndërsa kompanisë që do të marrë këto burime do t’i jepen në përdorim edhe fabrikat e përpunimit dhe prodhimit të materialeve të gatshme.

Në strategjinë e hartuar thuhet se kohëzgjatja e këtij koncesioni është pa afat dhe do lihet në dorën e investitorit për të vendosur kohën që do të marrë në përdorim minerat dhe fabrikat e përpunimit të këtij metal.

Rezervat e matura në fund të vitit 2016-të arrijnë në vlerën e 33 milionë ton bakër, ndërsa sasia mesatare e përqendrimit të tij është 17.5%.

Pavarësisht rezervave, dokumenti sqaron se Shqipëria është një nga vendet që ka prodhimin më të ulët të bakrit në rajon, ndërsa shfrytëzimi i minierave që janë dhënë me koncesion ka qënë problematik.

Pas paraqitjes së ofertave, ministria do të hapë tenderin për të dhënë të drejtat e prodhimit të bakrit, ndërsa kompania do të përfitojë ulje të tatim – fitimit, përjashtim nga taksat doganore për makineritë dhe qira 1 euro për ambientet që do të merren me koncesion.

Vlera e investimit për të ndryshuar të gjithë linjën e këtij metali në Shqipëri, vlerësohet të shkojë 120 milionë dollarë, ndërsa një pjesë e tregut do të sigurohet vetë nga shteti shqiptar. Qeveria zotohet që t’i japë koncesionarit lëndën e parë për përpunim nga fabrikat e tjera dhe blerjen e materialeve të gatshme për nevojat e kompanive publike.

Tv Klan