Haradinaj: Dikush po i mashtron njerëzit, duhet pasur kujdes

Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët, shoqëria civile, por edhe subjektet politike që të tregohet kujdes me personat e ardhur nga Shqipëria, të cilët kanë hyrë në territorin e Kosovës, pas tërmetit të 26 Nëntorit që la të vdekur 51 njerëz.

“Çdo shtetas i Shqipërisë, që hyn në territorin e Kosovës, nuk do të mbetet pa strehë, por nuk është në rregull një zhvendosje pa kritere e njerëzve që vijnë nga zonat që nuk janë prekur nga tërmeti. Dikush po i mashtron njerëzit, po i mbush autobusët, po i sjell në kushte të vështira… është dimër, nuk është në rregull. Keqpërdorimi i kësaj gjendjeje nuk është në rregull, duhet pasur kujdes”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj më pas u bëri thirrje qytetarëve nga zonat e paprekura nga tërmeti në Shqipëri, që të mos të vijnë në Kosovë. Ai tha se bëhet fjalë për atë kategori të qytetarëve të cilët pretendojnë se nëse vendosen në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman në Prizren, mund të dërgohen në shtetin e Gjermanisë. Kjo, sipas tij, nuk është e vërtetë.

Haradinaj nuk dha më shumë hollësi mbi këto pretendime.

Pas tërmetit, i cili ka goditur Shqipërinë më 26 Nëntor, numri i personave të ardhur nga ky shtet dhe që kanë hyrë në territorin e Kosovës, ende nuk dihet saktësisht nga institucionet e Kosovës./REL