Emisioni “Stop” në Tv Klan mbrëmjen e sotme ka trajtuar shqetësimin e disa banorëve të zonës së Talesh në Lezhë, të cilët ankohen se nuk kanë mjekë dhe për të marrë trajtim shëndetësor detyrohen të shkojnë deri në Lezhë. Mjeku i zonës shfaqet vetëm gjatë 2 muajve të verës dhe më pas gjithçka vazhdon po njësoj.

Ded Gjoni, denoncues:

Ne ju kemi kërkuar ndihmë se nuk kemi doktor. Jam 81 vjeç dhe nuk kemi pasur mundësi të shkojmë sa te ambulanca. Doktorë këtu nuk ka, mundësitë nuk janë për të shkuar më larg. As kemi lekë, as kemi shëndetin”.

Lina Gjoni, denoncuese:

“Nga emisioni Stop kërkojmë të na vijë një doktor këtu. S’kemi ku bëjmë asnjë gjilpërë”.

Në Qendrën Shëndetësore të Shënkollit, gazetarja e Stop gjeti vetëm infermierin, i cili thotë se u jep kartelat pacientëve për të shkuar në Rrile për mjekim.

Inferimieri:

“Unë jam infermier pranë mjekut, merrem me kartelat t’ia çoj mjekut… kur ka pasur. Ekzaktësisht janë 1850 banorë që mbulon kjo zonë, ndërsa të sëmurë kronikë janë 180 që duhet të marrin mjekimin një herë në muaj, dy herë në muaj”.

Gazetarja iu drejtua më pas Qendrës Shëndetësore në Barbulloj, ku aty është vetëm një mjeke që kujdeset për 3 mijë pacientë. Ajo tregon se ka nevojë të madhe për mjekë dhe infermierë, mirëpo drejton gishtin edhe nga kushtet e vështira të punës. Mjeku i Tales ka dalë në pension, ndaj dhe 2 mijë banorët e Tales kërkojnë të marrin shërbim shëndetësor.

Mjekja:

Unë jam emëruar në këtë ambulancë që të regjistruar ka 3 mijë pacientë. Ofroj shërbimin çdo ditë nga e hëna deri në të shtunë. Para pak kohësh, mjeku i Tales ka dalë në pension, nuk është zëvendësuar me mjek. Në kushte tepër të vështira jemi të detyruar që t’i mbajmë këto zona. Domethënë, çdo mjek ka nga dy zona. Unë kam këtë zonë dhe 2 mijë  banorët e tjerë të Talet, që është grykëlumi nr.2 Por në këto kushte tepër të vështira, kam qenë e detyruar që t’i marr përsipër si zonë. Për mua është shumë e vështirë ta përballoj. Shikoni dhe ambientet në të cilat punojmë. Shpresoj që të gjejnë zgjidhje sa më shpejt. Arrijnë deri në 50 vizita në ditë. Ka një mungesë të theksuar në mjekë. Më thoni ju, kush është ai mjek që ka dëshirë të vijë dhe të punojë në ambiente të tilla. Shikoni vetëm ambientet pa pasur parasysh ngarkesën e punës dhe largësinë, dhe mungesën e strukturës sidomos me infermiere”.

Kurse Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Lezhë, thotë se në këtë qark ka 12 mungesa. Sipas tij, kjo histori është kudo, pasi Korça ka 30 mungesa dhe Shkodra 20.

Gazetarja: Ideja është e tillë: Pranë redaksisë së emisionit “Stop” janë ankuar disa banorë të Tales, të cilët, fatkeqësisht, prej 2 muajsh, në qendrën shëndetsore nr. 2, nuk ka mjek. E doja të dija dicka në kuadër të kësaj situate. A keni bërë ju kërkesa, si do funksionojë, se janë …

Drejtori:

Kërkesat janë të vazhdueshme, por kena 12 mjek mangësi.

Gazetarja: 12 mjekë mungojnë?  Në qarkun e Lezhës?

Drejtori:

Edhe ai, që ka qenë i fundit, ka dalë në pension, biles ka qënë me shtesa.

Gazetarja: Ca thua?

Drejtori:

Jena shumë keq! Korca ka mbi 30 mangësi, Lezha ka 12, Shkodra ka 20 mangësi.

Gazetarja: Po ku kanë ikur? Në Gjermani? Ca do ndodh me sistemin tonë shëndetsor në këtë situatë?

Drejtori:

Të lutem! Emërimet dhe pozicionimet i ka DSHP.

Drejtuesit e emisionit “Stop” i bëjnë apel Ministrisë së Shëndetësisë që të zgjidhë këtë situatë të krijuar, e cila detyron banorët e Tales që të shkojnë në Lezhë për të marrë mjekim për shkak të mungesës së mjekut.

/tvklan.al