Faza e dytë e punimeve nis në Shtator

Në një sipërfaqe prej 309 hektarësh, në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës vijon puna për të përmbyllur fazën e parë të punimeve.

“Faza e parë e punimeve apo ajo e gërmimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës është drejt fundit. Puna më e madhe është përqendruar tek pista e aeroportit, me një sipërfaqe prej 3.2 kilometrash”, raporton gazetarja Rashela Shehu.

“Punimet e gërmimit janë kryer pothuajse në 90%. Për sa i përket pistës dhe taxiway ka përfunduar gërmimi dhe jemi në fazën e mbushjes dhe shtrimit me gjeotekstil. Po bëhet hapja e vendqendrimit të avionëve dhe po punojmë me rrethimin e aeroportit”, tha Klit Dyrmishi, menaxher i punimeve në kantier.

Prej muajit Shtator do të nisë edhe faza e dytë e punimeve, që lidhet me ndërtimin e godinave të aeroportit.

“Pjesa e ndërtesave përfshin terminalin e pasagjerëve, kullën e kontrollit, godinën e zjarrfikëses, kargoterminalin, hangarin e riparimit të avionëve dhe godinën e administratës. Bëhet fjalë për rreth 34 mijë metër katrore ndërtim”.

Pista prej 3,2 kilometrash do të jetë më e gjata në Shqipëri, e po sipas projektit mbulesa e sipërme e terminalit do të realizohet me panele diellore.

“Në fazën e parë ndërtohen 13 vendqëndrime të avionëve ku përfshihen vendqëndrimet e terminalit të pasagjerëve, vendqëndrimet për kargoterminalin, dhe vendqëndrimin për hangarin e riparimit të avionëve”.

Në një distancë prej 10 kilometrash nga qyteti i Vlorës, ky aeroport do të shërbeje si porta hyrëse në jugun e Shqipërisë. Kontrata për dorëzimin e veprës nga koncensionari, që do të kushtojë 104 milionë Euro, pritet të bëhet në Prill të vitit 2024 dhe nisja e fluturimeve parashikohet në 2025-ën.

Tv Klan