Analizat dalin negative, pritet testimi i dytë brenda 48 orëve

Drejt shërimit pacienti i parë i prekur me koronavirus në Shqipëri. Burime nga Spitali infektiv i QSUT-së thonë se kanë rezultuar negative analizat për personin që u infektua nga 28-vjeçari i konsideruar si “pacienti zero” nga Tirana. Ai ka qëndruar një javë në spital dhe sipas të njëjtave burime do të bëhet brenda 48 orëve një tjetër analizë për të verifikuar gjendjen e tij.

Një lajm të mirë e konsideroi Kryeministri Rama, që vlerësoi punën e bluzave të bardha ndërsa kërkon durim nga qytetarët për tejkalimin e situatës. Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu sqaroi se pacienti po mbahet nën monitorim dhe se do të kryhen testime të tjera në 2 ditët e ardhshme. Lajm të jashtëzakonshëm e konsideroi edhe Presidenti Meta që shpërndau mesazhin e Ministres Manastirliu duke shprehur mirënjohje dhe falënderim për mjekët.

Të martën numri i të infektuarve me koronavirus në vendin tonë shkoi në 55. Mes 4 rasteve të reja të identifikuara, 2 janë staf mjekësor i spitalit Shefqet Ndroqi, të cilët u infektuan pasi një person i sapo kthyer nga Italia shkoi për vizitë tek një pacient, duke infektuar të afërmin e tij dhe stafin e spitalit.

Deri më tani, Tirana ka numrin më të madh të të infektuarve me Covid-19. Rritja e numrit të rasteve që kanë nevojë për hospitalizim ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të bëjë gati spitalin Shefqet Ndroqi për trajtimin e personave të prekur nga Covid-19

Pavarësisht masave të marra, ekspertët e shëndetësisë vazhdojnë të këmbëngulin se izolimi social dhe masat vetjake mbeten thelbësore për të frenuar sa më shumë përhapjen e infeksionit.

Tv Klan