ildkShkarkimi i kryetares së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka duket se do të jetë vetëm çështje kohe. Deputetët e mazhorancës në komisionin e ligjeve i kanë propozuar parlamentit shkarkimin e saj, pas një raporti të hartuar nga grupi i deputeteve që pak javë më parë mori tagrin nga ky komision për të verifikuar veprimtarinë e kryetares së ILDKP-së.

Raporti  konstaton një sërë shkeljesh ligjore që nisin me emërimin e zonjës Zhuka në krye të ILDKP-së, deri tek keqmenaxhimi dhe paaftësia profesionale në drejtimin e këtij institucioni nga ana e saj.

Deputeti Spartak Braho shkoi më tej në qëndrimin e tij kur i kërkoi komisioni të ligjeve që t`i drejtohet edhe prokurorisë për të hetuar lidhur me shpërdorimin e detyrës sipas tij, bërë nga kryeinspektorja Zhuka.

Për opozitën kontrolli i kryer nga grupi i punës pranë ILDKP-së është i jashtligjshëm dhe në kundërshti me kushtetutën. Ndaj dhe në shenjë proteste deputetët e djathtë u larguan nga mbledhja e komisonit.

Vetë kryetarja e ILDKP-së Zana Zhuka e cila nuk ishte e pranishme në komisionin e ligjeve përmes një shkrese dërguar kryetarit të parlamentit Ilir Meta ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të grupit të kontrollit që kërkon shkarkimin e saj nga detyra, me argumentin se ky grup pune është në kundërshti me ligjin dhe kushtetutën.