PD: Kryeministri, armiku më i madh

Tre vite pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, Kryeministri Edi Rama ka shigjetuar opozitën se i frikësohet këtij procesi që e sheh jetik për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

“3 vjet nga votimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, mjafton të shohësh e të dëgjosh armiqtë e saj, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane dhe mirënjohës për miqtë e partnerët në këtë betejë për të ardhmen”, shkroi Rama.

Nuk ka munguar as reagimi i kreut të shtetit, i cili thotë se falë konsensusit të tre viteve më parë u mundësua edhe rekomandimi për çeljen e negociatave me BE-në. Por se kur do t’i ndizet Shqipërisë drita jeshile, kjo për kreun e shtetit do të ndodhë kur të gjithë qytetarët të ushtrojnë sovranitetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të ndershme, demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të gjithëpranuara, për çdo nivel përfaqësimi politik dhe institucional.

“Fillimi i negociatave do të jetë i mundur kur zbatimi i Reformës në Drejtësi të shkojë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, mbrojtjes së interesit publik, dhe garantimit të të drejtave demokratike dhe lirive themelore të qytetarëve të Shqipërisë.”

Për Partinë Demokratike armiku i vetëm i Reformës në Drejtësi është kryeministri Rama.

“Vendimi i Gjykatës së Durrësit për të ndryshuar një vendim pa e apeluar atë dhe dhjetëra vendime te tjera antikushtetuese me Reformën në Drejtësi, e faktojnë Edi Ramën si armikun më të madh të drejtësisë së barabartë për të gjithë. 3 vjet pas miratimit konsensual të ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët janë dëshmitarë se drejtësia private e Edi Ramës nuk ka ndëshkuar asnjë zyrtar të lartë. Asnjë ministër, asnjë zyrtar i lartë publik, asnjë politikan nuk ka dalë para drejtësisë për vjedhjen e përditshme të shqiptarëve”, tha Gjata.

Demokratët e akuzojnë kreun e qeverisë se në 3 vite është bërë mburojë e çdo pushtetari dhe krimineli të lidhur me pushtetin që vjedh zgjedhjet për llogari të tij.

Tv Klan