Kërkesa për të zbatuar ligjet është një domosdoshmëri ligjore dhe morale. Nën drejtimin e Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit Thimio Kondi dhe Ministrit të Drejtësisë Ilir Panda, është organizuar një takim pune me kryetarë, zv/kryetarë e sekretarë gjykatash të të gjitha niveleve.

Aty janë diskutuar probleme teknike që kanë lidhje me proceset gjyqësore, zbatimin e përpiktë të dispozitave ligjore në fuqi, zbatimin e normave etike të trupave gjykuese e të tjerë. Ministri Panda ka theksuar se është e pafalshme që në kohë paqe të humbin dosjet gjyqësore. Ai ka akuzuar ashpër disa kryetarë gjykatash që nuk zbatojnë dispozitat ligjore për hedhjen e shortit për ndarjen e proceseve. Por dhe kur e hedhin ky short kthehet në “Telebingo”.

Është diskutuar dhe për gjykimin e të arrestuarve në kohë dhe ndershmërisht. Sipas folësve drejtësia është një nga sektorët më të përfolur të shoqërisë shqiptare për shkak të shumë vendimeve të padrejta. Për këtë arsye kërkohet të zbatohet me përpikmëri ligji dhe të zbatohen masat disiplinore për ata që e shkelin atë./tvklan.al