Kryeministri i vendit, Edi Rama thotë se kishte një heshtje strategjike për më shumë se 5 vjet për t’i dhënë një mbështetje totale institucioneve të drejtësisë. I pyetur nga komentuesit në rrjetet sociale, Rama shprehet se fajtorët e 21 Janarit i nxjerr drejtësia dhe jo Qeveria.

Edi Rama: Kishim një heshtje strategjike më shumë se 5 vjet për t’i dhënë suport total institucioneve të drejtësisë. Para ligjit janë të barabartë që të gjithë. Fajtorët e 21 Janarit i nxjerr SPAK-u dhe Gjykata Speciale, jo Qeveria. Nuk do të kishte institucione të reja të drejtësisë, gjë që na ka bërë shembull për luftën kundër korrupsionit në rajon. Dihet se kur ka një intensitet në këtë luftë, ka edhe një perceptim se këtu nuk ka asgjë tjetër përveç korrupsionit, kjo nuk është e vërtetë. Ka një ndryshim të madh dhe në fund të ditës ka një test. Çfarë them unë, çfarë thonë të tjerët është relative, por ajo që BE konstaton në ecurinë e një vendi është absolute për shkak se fokusuohet në shifra dhe në fakte.

Gjatë bashkëbisedimit “Sy m’Sy” me qytetarët në rrjetet sociale, Kryeministri Rama thotë se drejtësinë e pavarur në Shqipëri nuk e solli Amerika dhe nuk e merr dot me vete. Ai shprehet se qëndrueshmëria e institucioneve të drejtësisë varet nga Partia Socialiste. Rama shton se nuk do ketë drejtësi që i shërben pushtetit të radhës përsa kohë që PS të jetë në pushtet.

Edi Rama: Drejtësia e pavarur për aq sa po kontribuon dhe nuk po kontribuon pak në përpjekjen tonë të përbashkët, është frut i vizionit, i vullnetit dhe i përpjekjes titanike të PS-së. Nuk e solli Amerika dhe nuk e merr dot me vete, jemi ne që e kemi dëshiruar, e kemi të shkruar në programet tona qëkur ishim në opozitë dhe është fryt i qëndrimit tonë të prerë. Po të ishim ne kundër drejtësisë, ne do të ishim këtu pa asgjë nga këto që shikon sikur i ka bërë Amerika. Ka dhënë një mbështetje në procesin e reformës, por qëndrueshmëria e institucioneve të drejtësisë varet nga PS. Nëse PS e lëshon, të gjithë janë të rreshtuar në llogoren kundër institucioneve të drejtësisë dhe në bombardimin e SPAK-ut dhe drejtuesit të SPAK-ut me gjithëfarë lloj fyerjesh. Drejtësi që i shërben pushtetit të radhës nuk do të ketë përsa kohë që PS të jetë në pushtet.


/tvklan.al