Drejtoresha e shkollës kyçet në zyrë sapo shikon gazetaren e Stop

Posta

Drejtoresha e shkollës kyçet në zyrë sapo shikon gazetaren e Stop

21:05 23/10/2019

Mësuesi viktimë e diskriminimit, fitoi vendin e punës në portal

Ilir Çopja është një mësues që ka fituar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, duke u renditur i pari për Zyrën Arsimore të Belshit dhë Cërrikut, dhe i dyti për qarkun e Elbasanit.

Ai filloi punë në shkollën “Seit Pepa” të fshatit Vidhas të Elbasanit, por ra pre e diskriminimit nga drejtoresha e kësaj shkolle dhe këshilli i prindërve.

Ky rast është trajtuar sonte nga emisioni “Stop” në Tv Klan, që ka denoncuar këtë histori skandaloze të diskriminimit të një mësuesi profesionist dhe të aftë, vetëm për shkak të një problemi minor që ka në artikulim.

Më 24 Shtator, Iliri filloi provizorisht punën si mësuesi në shkollën e fshatit Vidhas. Më 1 Tetor, nga Zyra Vendore Arsimore Elbasan i paraqitet një dokument i një mbledhje të bërë nga Drejtoresha Silvia Jani me këshillin e prindërve, ku Iliri ishte vlerësuar dobët për shkak të vështirësisë në të folur. Vetë Iliri thotë se nuk ishte në dijeni të kësaj mbledhje. Ai shprehet se një dokument i tillë i paargumentuar përbën shumë problem, sepse qëndron në fuqi për një periudhë 10-vjeçare, duke e penalizuar atë në ushtrimin e profesionit.

Ilir Çopja: Në vitin 2019 konkurrova në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’ në profilin histori duke vendosur tre ZVA; ZA Belsh, ZA Cërrik dhe ZVA Elbasan. Pasi dolën rezultatet, isha i renditur në ZA Belsh dhe ZA Cërrik i pari, ndërsa në ZVA Elbasan isha i renditur i dyti. Në dy të parat, duke qenë se janë ZA më të vogla nuk kishte vende të lira, ZVA Elbasan u lirua një vend në shkollën “Seit Pepa”, Vidhas. M’u komunikua në datë 21 Shtator, e pranova vendin e punës pavarësisht se ishte provizor. Ditën e mërkurë zhvillova normalisht mësim sipas orarit që kisha. Dhënia e mësimit zgjati nga 24 Shtatori deri më 1 Tetor. Pas insistimeve të mia për të marrë normalisht kontratën e punës, përgjigja e drejtoreshës ishte: ‘Mua nuk më ka ardhur ende emaili, jam duke komunikuar’. Më mbajti me shpresa dhe me gënjeshtër për një javë të tërë. Shkova të hënën në mësim, vazhdova mësimin normalisht. Prita një komunikim, nuk erdhi. Shkova dhe të martën. Dhashë të gjitha orët e mësimit. Prita sërish komunikimin dhe sërish nuk po vinte. Më nxorrën një dokument. Ky dokument tani ishte një mbledhje e organizuar nga drejtoresha e shkollës dhe këshillin e prindërve të shkollës më datë 30 Shtator 2019, ku unë isha vlerësuar me vlerësimin dobët. Për shkak sepse sipas tyre, duke qenë se unë kam probleme me të folurin, dhe nuk arrij të mbaj disiplinën në klasë. Kishin dhe një nëntekst, mund të sillet edhe ky si mësuesi tjetër. Kërkoj që ai vendim i marrë nga këshilli i prindërve të anulohet. Të dalë një vendim i ri. Për shkak se një vlerësim me notën dobët, mua më penalizon për një afat shumë të gjatë në punën time në institucionet arsimore. Për më tepër, vlerësimi dobët dhe me atë lloj karakteristike, mua më cënon dinjitetin. Më cënon integritetin sepse vlerësohem dobët dhe paragjykohem vetëm për pjesën time të të folurit. Madje edhe për pjesën time të të ecurit. Kur unë fare mirë në shkollë nuk pata asnjë lloj problemi. Kam mbi 7 eksperienca pune duke punuar online dhe offline, në projekte shtetërore dhe private, me shqiptarë dhe të huaj. Kam bërë gjithë këto kualifikime. Si mund të vlerësohem unë dobët. Nuk mundet të merret vendim për një person dhe ai as mos të jetë prezent kur bëhet fjalë për të dhe aq më tepër as të mos njoftohet.

Gazetarja e emisionit “Stop” shkon në shkollën “Seit Pepa” në fshatin Vidhas për t’u takuar me drejtoreshën Silvia Jani. Sapo kjo e fundit prezantohet me gazetaren, mbyllet brenda zyrës së saj. Derën e kyç me çelës, ndërsa gazetarja e pret jashtë zyrës. Me derën që i ndan, gazetarja përpiqet të komunikojë me drejtoreshën “e panikosur” nga prania e Stop. Znj.Silvia Jani kërkon një shkresë zyrtare që të flasë për problematikën në fjalë, edhe pse vetë në bashkëpunim me këshillin e prindërve kanë marrë një vendim diskriminues ndaj mësuesit Ilir Çopja. Ajo qëndroi e kyçur brenda zyrës së saj deri në përfundim të orarit zyrtar. Gazetarja e priti deri sa drejtoresha doli nga zyra, pasi i përfundoi orari i punës. E bezdisur nga prania e gazetares së “Stop”, sërish kërkonte një shkresë zyrtare që të jepte përgjigje për vendimin e saj.

Emisioni “Stop” iu drejtua edhe Zyrës Arsimore të Qarkut Elbasan, ku aty na tregojnë një dokument që mësuesi Ilir Çopja është pranuar në vendin e punës dhe që është firmosur gjithashtu nga drejtoresha Silvia Jani.

Gazetarja: Drejtoresha ka firmosur për vendin e punës, që lajmërohet dhe mësuesi dhe më pas tërhiqet nga Drejtoresha?

ZVA Elbasan: Cfarë dokumentash, se sapo thashë, që unë jam e re. Do shof, ça dokumentash do ketë aty dhe ne do jua japim të gjitha, t’i shikoni, t’i studioni.

Punonjësja: Kjo është deklarata, që personi është paraqitur para komisionit, që ne e kemi me rregull, që mjafton të jenë më shumë se dy persona. Nga tre, që ka komisioni, mjafton të jenë dy prezentë, që i ofrojnë vendin e punës dhe drejtoresha e ka firmosur dhe e ka pranu këtë si mësues. Ndërsa kjo është kontrata, të cilën unë nuk e kam kaluar për miratim tek drejtori, për arsye se mungon firma e personit, por është e firmosur nga Drejtori i shkollës.

Vendimin absurd të drejtoreshës së shkollës dhe këshillit të prindërve, e hedhin poshtë vetë nxënësit, të cilët thonë se janë të kënaqur me mësuesin Ilir Çopja dhe nuk kishin problem për ta kuptuar në shpjegim.

“Për mua mirë u duk. E kuptonim, nuk kishim probleme. Për veten time unë e kuptova”

“E kuptuam. Na pëlqeu”.

“Më pëlqeu. E kuptonim”.

“Profesori u soll jashtë mase shumë mirë edhe na ka ndihmuar shumë që të mësojmë. Mësimi është bërë shumë i saktë dhe i rregullt”.

Nga ana tjetër, në udhëzimin nr.13 të publikuar nga Ministria e Arsimit, thuhet se personat me aftësi ndryshe kanë përparësi. Megjithatë Iliri ka një raport mjeko-ligjor që e klasifikon të aftë për punë. Këtë dokument e ka dorëzuar së bashku me dosjen në kohën e konkurrimit.

Drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra i drejtoi një apel Ministrisë së Arsimit dhe drejtuesve të Zyrës Vendore Arsimore të Elbasanit.

“Ndiqni pak pikat e shkeljes së ligjit dhe diskriminimit që i është bërë Ilirit dhe zhbëjeni të tërërën. Unë jam i sigurtë që nesër mund të ketë një reagim që do gjejë një zgjidhje. Do e heqin Ilirin që aty dhe do e çojnë në një vend tjetër. Do jetë gabimi më i madh. Do jetë rëndimi më i madh që do t’i bëjmë Ilirit dhe gjithë atyre që kanë nevojë të mbështeten. Iliri është i dyti në portal, nuk ka nevojë Iliri për ne”. /tvklan.al


OTP
Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
AZHBR
UKT
Grupi
UKT