Për herë të parë drejtuesit e spitaleve do të kalojnë përmes një trajnimi 5-javor, i konsideruar si shkolla e drejtorëve. Kursi ka të bëjë me menaxhimin spitalor për të cilin Ministria e Shëndetësisë u shpreh se është i domosdoshëm për të patur shërbim cilësor.

“14 milionë Euro janë investimet që po realizohen këtë vit në sektorin e shëndetësisë, duke filluar nga investimet në 11 spitalet rajonale me instalimin e 5 mamografëve të rinj, rezonancës magnetike për herë të parë në Elbasan, angiografit për herë të parë në Fier për zgjidhjen e urgjencave kardiake e një seri investimesh në spitalet e Tiranës, duke filluar me repartet e reja të kirurgjisë dhe spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në QSUT. Por menaxhimi padyshim është i rëndësishëm për të patur shërbime sa më cilësore për qytetarët, ndaj vendosëm të hapim për herë të parë shkollën e drejtorëve të spitaleve”.

Cikli i parë i menaxhimit spitalor do të hedhë bazat për menaxhimin e mirë të burimeve financiare. Manastirliu shfrytezoi këtë moment për të premtuar se këtë vit do të garantohen barnat bazë në çdo spital, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt do të kryhet rankimi i spitaleve sipas performancës për të vijuar me procesin e akreditimit të tyre.

Tv Klan