“Të rriturit do të verifikohen dhe hetohen”

Drejtori i Antiterrotit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, ka treguar me detaje se çfarë ka ndodhur në operacionin për nxjerrjen e familjes Rasha dhe Endri Dumanit nga kampi Al-Hol. Ai tha se me autoritetet lokale është kërkuar që të merren të gjithë fëmijët e identifikuar, por kjo nuk është pranuar. Një nga dakordësitë ka qenë tërheqja e fëmijëve jetimë, tha Nano.

“Është kërkuar që të merren vetëm fëmijët. Nuk është pranuar as kjo nga autoritetet pavarësisht se gjatë bisedave kemi diskutuar edhe me nënat ku në disa raste është marrë pëlqimi që nëse arrihet dakordësia për të marrë vetëm fëmijët disa nga nënat, bravo i qoftë e kanë dhënë dakordësinë. Nuk kemi rënë dakord me autoritetet kurde sepse kanë qenë shumë të prerë për të mos i shkëputur nga nënat.  Një nga kushtet që u ra dakord në këtë marrëveshje ishte që do të merreshin vetëm fëmijët jetimë pa asnjë mbështetje në kamp. Ndërsa rasti i nënës i Floreshës, është e plagosur dhe në karrocë, nuk lëviz. Ajo është plagosur në rrethimin e Baguzit, fortesë e fundit e ISIS-it. Ajo ka shkuar me dy fëmijë dhe vajza e madhe e Floreshës është vrarë gjatë rrethimit të Baguzit”, tha Nano.

Nano u shpreh se autoritetet i dinin çadrat ku qëndronin familjet shqiptare. Gjithsej ai tha se janë identifikuar 4 familje. Në studion e “Opinion” u shpreh se shqiptarët janë keqinformuar në momentin që autoritetet kanë shkuar atje. Nano u shpreh se autoritetet lokale nuk i kanë lënë madhorët shqiptarë që të largohen nga kampi pasi do të verifikohen dhe hetohen nëse kanë përgjegjësi penale.

“Gjatë gjithë kohës që ne kemi negociuar dhe kemi biseduar me forcat lokale, kemi shkëmbyer dhe informacion. Kanë shkuar për informacion dhe keqinformim. Janë identifikuar edhe 4 familje. Familjet janë marrë dhe transferuar në kampin Rozh si një kamp me siguri më të madhe dhe me kushte më të mira. Janë transferuar kur kemi shkuar ne. Në takim që bëmë paraprakisht me autoritetet lokale është vendosur, ose më saktë, qëndronin shumë të prerë që të gjithë personat madhorë duhet të hetohen, verifikohen dhe më pas të lejohen nëse nuk kanë ngarkesa penale.  Ajo që ne kërkuam me forcë autoriteteve lokale ishte procedimi, apo verifikimi sa më i shpejtë i këtyre personave madhorë sepse duhet të kuptojmë që vetëm në Al-Hol janë 7 mijë të huaj. Ajo që na intereson janë madhorët sepse fëmijët janë të verifikuar nuk kanë ngarkesa penale”, tha Nano./tvklan.al