Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan ishte këtë të mërkurë në Tiranë në një vizitë për çështje të sigurisë dhe terrorizmit.

Siç bëri të ditur Ambasada Amerikane, kreu i inteligjencës amerikane u takua me drejtues të ndryshëm për të diskutuar një gamë çështjesh përfshi sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe.

drejtori cia

Në axhendën e tij u përfshinë takime me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bujar Nishani, Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, dhe drejtues të komunitetit të inteligjencës.

Shqipëria është një ndër partnerët e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe angazhimi kundër ekstremizmit fetar është ndër prioritetet kryesore që lidhet me çështje të  sigurisë. Kohët e fundit vëmendja e shërbimeve të inteligjencës ka qenë e lartë pas arrestimeve në Kosovë e Shkodër të personave që planifikonin akte terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael dhe që mendohet të kishin lidhje me Shtetin Islamik.

Angazhimi për të frenuar dërgimin e luftëtarëve nga Shqipëria drejt Sirisë mbetet po ashtu një nga sfidat kryesore të shërbimeve të inteligjencës, nisur nga aktiviteti që grupime të caktuara kanë patur në Shqipëri, si ai imamëve të Unazës së re që kanë qenë jashtë juridkisonit të Komunitetit Mysliman. Para pak ditësh gjykata e apelit për krimet e rënda i dënoi 9 të pandehurit  me 109 vite burg në total, pasi akuzohen se kanë dërguar në Siri për të luftuar përkrah ISIS rreth 90 shqiptarë./ TV KLAN