Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Mete zhvilloi sot një takim pune me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko.

Biseda mes tyre u përqendrua kryesisht në situatën në tregjet financiare nën mbikëqyrje dhe efektet e pandemisë COVID-19 në subjektet e mbikëqyrura.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së biseduan mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të rritjes dhe forcimit të sistemit financiar, si edhe garantimit të një mbikëqyrjeje të konsoliduar të tregjeve financiare.

Gjatë takimit mësohet se është diskutuar mbi shkëmbime të ndërsjellta në kuadër të Grupit Kombëtar të Stabilitetit Financiar dhe krijimin e komiteteve të përbashkëta në kuadër të zhvillimit të tregjeve, trajtimin e krizave dhe situatave të jashtëzakonshme dhe bashkëpunimin në funksion të luftës kundër pastrimit të parave.  

Gjithashtu në takim u ra dakord për finalizimin e Marrëveshjes së Mbikëqyrjes së Konsoliduar mes Bankës së Shqipërisë dhe AMF./tvklan.al