Ditën e sotme ka nisur vaksinimi për punonjësit e policisë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, deklaroi se punonjësit që do të vaksinohen do të njoftohen për datën dhe orën se kur duhet të paraqiten në stadiumin Air Albania.

Kreu i policisë në kryeqytet u shpreh se aktualisht janë vetëm 8 policë që qëndrojnë pushim për shkak të koronavirusit. Ai i bëri thirrje partive politike që të zbatojnë masat e pandemisë gjatë fushatës.

“Shifrën e të prekurve në total s’e kam. Kemi pasur efektivë të prekur nga COVID. Aktualisht rreth 8 veta janë pushim për shkak të Covid. Kanë humbur jetë 8 efektivë të policisë. Nuk kemi pasur numër të shtuar infektimesh, por përqindja ka qenë si gjithë popullata.

Në ambientet e mbyllura kemi vendosur gjoba. Iu bëhet thirrje partive politikë në mënyrë të vazhdueshme. Ne nuk duhet të jemi shkaku i një acarimi mes politikanëve dhe policisë. Thirrja jonë e vazhdueshme është që gjithsecili duhet të ruajë distancimin, pavarësisht se jemi në fushatë. Iu bëj thirrje subjekteve politike që t’i kërkojnë përkrahësve të tyre që të respektojnë distancimin dhe maskat mbrojtëse, duke vendosur maskat”, tha Jaupi./tvklan.al