Një plumb në bark për Reginaldo Kaçorrin, por fillimisht 19-vjeçari është konfliktuar me dy persona të tjerë në një lokal. Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Japuaj, tha se paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Kaçorri dhe autorët e kësaj ngjarje kanë qenë të ulur në të njëjtin lokal në tavolina të ndara. Jaupaj tha se fillimisht mes palëve ka patur një konfrontim fizik. Më pas, një person është afruar dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri.

“Të dyja palët kanë qenë në të njëjtin lokal. Fillimisht janë zënë fizikisht dhe më pas është afruar një person që ka qëlluar një herë me armë. Janë marrë masat për kryerjen e veprimeve proceduriale. Mendoj se për motive të dobëta, por tani jemi në dokumentimin dhe sqarimin e kësaj ngjarje”, tha Jaupaj.

Drejtori i policisë së Tiranës tha se e kanë emrin e autorit të dyshuar të plagosjes, por nuk e bëri publik.  “Paraprakisht mendojmë që kemi një emër të autorit. Po bëjmë dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje”, tha ai.

Plagosja e Reginaldo Kaçorrit ndodhi në rrugën “Liman Kaba” në Tiranë. I riu ka marrë një plagë në bark dhe ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve./tvklan.al