Pas përfundimit të procesit të verifikimit të dokumentacionit dhe shpalljes së listës përfundimtare për kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të mërkurën nis intervistimi. Burime për Klan News bëjnë me dije se intervistat e kandidatëve do të fillojnë që në orën 9 dhe do të zhvillohen gjatë gjithë ditës.

Intervistat do të bëhen në bazë të rendit alfabetik. I pari do të fillojë Adriatik Tafçiu dhe i fundit për intervistë do të jetë Skënder Hitaj i cili mban aktualisht postin e Drejtorit të Policisë në Durrës. Komisioni i Posaçëm i përbërë nga sekretarja e ministrisë së Brendshme, Suzana Hoxha, zëvendës ministri Besfort Lamallari dhe drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Florian Sulejmani, do të dëgjojnë platformën e 11 kandidatëve.

Më pas Komisioni i Posaçëm do të bëj renditjen e kandidatëve dhe lista përfundimtarë do t’i dërgohet ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha. Ky i fundit do të dërgojë një emër për miratim nga Këshilli i Ministrave. Hoxha ka bërë me dije se deri në fund të javës do të ketë një emër konkret për drejtor të Përgjithshëm.

Nga java që vjen 12 mijë efektivët e uniformave blu do të kenë drejtuesin e ri. Pas largimit të Muhamet Rrumbullakut. Ndërkohë më herët nga gara u s’kualifikuan 4 kandidat.

Klan News