Donika Prela, drejtuesja e Prokurorisë për Krimet e Rënda është përballur me Vetingu-n këtë të martë. Nuk ka qenë një seancë e lehtë për të pasi komisioni ka gjetur disa parregullsi për pasurinë dhe kryesisht në të ardhurat e bashkëshortit të saj.

Vangjel Prela me profesion inxhinier ndërtimi për disa vite me radhë ka punuar pranë një firmë ndërtimi dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka paguar taksa dhe sigurimet shoqërore. Gjithashtu ai rezulton të ketë probleme me një borxh prej 15 mijë eurosh të marra nga një i afërm i tij dhe blerjen e 3 apartamenteve nën vlerën e tregut.

I fortë në sallë ka qenë edhe reagimi i përfaqësuesit të ndërkombëtar Teo Xhekobs.

“Pse paga e bashkëshortit i është dhënë në dorë? Ai ka patur llogari. Kjo më lë shije të keqe. Unë fokusohem te taksat. Më shpjego pse bashkëshorti juaj është gënjyer dhe më bind se nuk ka rënë dakord që të paguhej në këtë mënyrë. Më trego që ai është viktimë dhe nuk bëhet fjalë për shmangie nga taksat. Ju keni vënë në dispozicion dokumenta që ai ka qenë në marrëdhënie punësimi, fakti që ai nuk ka paguar taksat më le shije të keqe”.

Por, Prela është mbrojtur duke sqaruar se ajo ka jetuar në Shqipëri dhe jo në një vend të Bashkimit Europian ku respektohen kontratat. Në përfundim Prela u pyet për çështje ‘Shullazi’ dosje për të cilën ONM kishte kërkuar informacione.

Në 29 Janar komisioni pritet të lexojë vendimin për Donika Prelën, e cila kërkoi konfirmimin në detyrë.

Tv Klan