Komiteti i Tregtisë në Senatin e SHBA-së, ka votuar për të thirrur në një përballje krerët e Google, Facebook dhe Twitter. Kjo do të thotë që Sundar Pichai, Mark Zuckerberg dhe Jack Dorsey, do të përballen me pyetje nga senatorët në lidhje me politikat e tyre për lloje të ndryshme të përmbajtjeve.

Në fokus do të jetë mbrojtja ligjore që ata gëzojnë në lidhje me përmbajtjet që lënë dhe heqin në platformat e tyre. Ata gjithashtu do të sfidohen rreth polemikave të shumta që janë bërë kohët e fundit për privatësinë dhe keqinformimin. Në komisionin e mbajtur për të votuar se a duhen thirrur apo jo shefat ekzekutivë të këtyre platformave, si republikanët ashtu edhe demokratët votuan unanimisht për po.

Senatori republikan, Ted Cruz, pas votimit u shpreh me fjalët se “Nuk ka pasur kurrë në historinë e njerëzimit një pushtet të tillë siç e gëzon sot teknologjia, me para të mëdha dhe pushtet monopol. Një fuqi të pakontrolluar”.

Kjo ftesë për shefat e platformave më të mëdha teknologjike, erdhi si pasojë e një seancë të mbajtur në Korrik, ku drejtuesit e Amazon, Apple, Facebook dhe Google dëshmuan para një komiteti, në lidhje me çështjet e konkurrencës dhe pretendimet për paragjykim.

Raporti i kongresit për këtë ngjarje pritet të publikohet javën e ardhshme./tvklan.al