Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër falenderimi Kryetares së Parlamentit të Holandës, Khadija Arib, me rastin e marrjes së vendimit e Parlamentit të Holandës për thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Në letrën e tij, Ruçi shkruan se bashkëpunimi mes dy vendeve ka ardhur duke u zgjeruar e fuqizuar. Po ashtu kreu i Kuvendit kujton dhe rezerva që ka pasur Holanda që kanë penguar hapjen e negociatave Shqipëri-BE.

Ne asnjëherë nuk i kemi keqkuptuar rezervat e qeverisë dhe Parlamentit të Vendeve të Ulëta, por i kemi kuptuar ato si një inkurajim për të përmirësuar performancën tonë dhe për t’u bërë një vend sa më i denjë për t’u pranuar në familjen europiane.

Fakti që edhe Ju, Komisioni për Çështjet Europiane dhe Dhoma e Përfaqësuesve jeni njohur dhe i keni vlerësuar këto arritje, është një motiv më shumë që Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e Shqipërisë t’i shumëfishojnë përpjekjet për të vazhduar rrugëtimin tonë europian, për të arritur dhe për të qëndruar në krah të shteteve anëtare të BE-së me standarte, dinjitet dhe vlera europiane“, theksohet në letër.

Më tej shton se Shqipëria do të vazhdojë të avancojë në plotësimin e këtyre standardeve dhe do të bëhet një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian./tvklan.al