Dritan Rexhepi dëshmoi për herë të parë në Shqipëri për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Ai mohoi se ka porositur nga burgu këtë ngjarje kriminale duke deklaruar se nuk i njeh të pandehurit e tjerë.
“Kam dëgjuar nga familjarët e mi që akuzohesha në Shqipëri për diçka që kishte ndodhur në Angli. Mi sillni këto përgjime t’i dëgjojmë këtu dhe të shohim a jam unë apo jo. Ju i hipni trenit të gabuar dhe doni të mbërrini në stacionin që doni, por nuk keni për të arritur. Ju nuk keni respektuar asnjë procedurë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi çfarë bëj unë, jo çfarë thonë të tjerët”.
I akuzuari Dritan Rexhepi kërkoi ballafaqim me vëllain e Jan Prengës ndërsa mohoi se ka pasur lidhje me Altin Hajrin.
“Dëshiroj të bëhet paraqitja me vëllain e viktimës. Të vijë këtu dhe të thotë nëse ka folur apo jo me mua. Ndërsa përsa i përket emrit Altin Hajri, ky emër nuk më thotë gjë”.
Pasi Dritan Rexhepi mohoi përfshirjen në krim, SPAK paraqiti prova të reja, komunikimet e tij me Altin Hajrin në Sky ECC, që sipas prokurorëve, dalin biseda ku flitet mbi rrethanat e ngjarjes së rrëmbimit të Jan Prengës. Seanca e radhës do të zhvillohet në 7 Maj.
Klan News