Barjon Gumeni mohon akuzat para gjykatës

Mbetet në burg menaxheri i kompanisë që kishte porositur kontenierin me banane në të cilin u gjetën 11.6 kg kokainë.

Barjon Gumeni i cili është njëkohësisht edhe aksioner i kompanisë nuk ka pranuar akuzat ndërsa ashtu, si në dëshminë e tij para hetuesve, edhe para togave të zeza të Durrësit deklaroi se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike.

Pavarësisht pretendimeve të Gumenit, gjykata e qytetit bregdetar e la në masën arrest me burg. Ai u arrestua pasi në kamionin që kishte destinacion kompaninë në Tiranë u gjet sasia e drogës e fshehur në pjesën motorike të frigoriferit të kontejnerit me banane.

Ngarkesa ishte nisur nga Ekuadori ndërsa u gjet nga policia portuale në Durrës gjatë kontrollit. Në lidhje me këtë rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike policia ka shpallur në kërkim Eduard Dautin, administrator i kompanisë që priste ngarkesën me banane të nisur nga Amerika Latine.

Tv Klan