Autorët e një studimi të ri nga Universiteti i Virxhinias në Charlottesville, sugjerojnë se një drogë e quajtur “memantine” mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes së Alzheimerit. Kjo, megjithatë, mund të ndodhë vetëm nëse një person e merr drogën në fjalë shumë kohë para se të paraqiten simptomat.

Në fakt “memantine” përdoret aktualisht për të menaxhuar simptomat e Alzheimerit, pra pasi pacienti të diagnostikohet me këtë sëmundje.

“Bazuar në atë që kemi mësuar deri më tani, mendimi im është që ne kurrë nuk do të jemi në gjendje për të kuruar sëmundjen e Alzheimerit duke trajtuar pacientët sapo të bëhen simptomatikë”, ka thënë Prof. George Bloom, i Universitetit të Virxhinias, i cili mbikqyri studimin.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreth 5.7 milionë të rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë me sëmundjen e Alzheimerit.

Një shoqatë që merret më këtë sëmundje, e përshkruan si një lloj çmendurie që shkakton probleme me kujtesën, mendimin dhe sjelljen./klankosova