Autoritetet policore vijojnë kontrollet në lokale, rrugë e ambiente të ndryshme në Fier. Kështu, në aksionin e radhës të policisë dhe FNSH-së u shoqëruan për verifikim 11 persona, të cilët kishin precedentë penalë si armëmbajtje pa leje apo vjedhje.

Ndërsa gjatë kontrollit në një lokal në Zhupan, autoritetet arrestuan një person i cili rezultonte në kërkim për falsifikim letërnjoftimesh, pasaportash e vizash. Ai është Aleksandër Hoxhaj, një 37-vjeçar nga Zhupani. Sipas policisë, sapo Hoxhaj ka parë efektivët që po futeshin në lokal, ai ka hequr armën nga brezi dhe e ka hedhur nga dritarja e lokalit, por falë veprimeve të shpejta të policisë u konstatua veprimi i tij dhe u arrestua në flagrancë.

Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti 15 paketime me kanabis, me peshë 43.5 Kg, 3 dokumente të falsifikuara: pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi automjeti në gjuhën greke me foto të tij.

37-vjeçarit iu gjetën gjithashtu sende të ndryshme të dyshuara që përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve: 2 matrapikë, 2 leva metalike, 1 maskë me ngjyrë të zezë, 1 palë dorashka, 1 tub metalik që shërben për hapjen e dyerve, 1 pincë etj, si dhe 3 kompjuterë lap-top dhe 1 kasafortë metalike, 34 fishekë pistolete dhe automatiku, që sipas policisë dyshohet se Hoxhaj i ka vjedhur.

/tvklan.al