Një sasi lënde narkotike kanabis është dërguar me postë nga Anglia drejt Shqipërisë, e konkretisht në Durrës. Dy persona janë arrestuar nga policia gjatë aksionit të koduar “Green Mail 2”. Hetimet janë zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me strukturat e sigurisë së Postës Shqiptare dhe Prokurorinë e Tiranës.

Të arrestuarit janë M. V. 18 vjeç dhe D. Sh. 18 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Në zonën e Plepave në Durrës, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës shtetasi D. Sh. Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 340 gramë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre është shtetasi M. V., i cili ka dërguar shtetasin D. Sh. për t’i marrë pakot nga vendi i mbërritjes në Durrës dhe për t’i sjellë në Tiranë.

Ky është operacioni i dytë policor i zhvilluar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga Mbretëria e Bashkuar. Operacioni policor i koduar “Green mail” u zhvillua më 30 Qershor 2022 dhe si rezultat u sekuestruan rreth 1.3 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga 2 persona. /tvklan.al