Duket se trafiku i kanabisit përmes postës nga shtetet e huaja është bërë trend. Për të disatën herë, policia e Tiranës ka arrestuar një person që mori një pako me lëndë narkotike me përqindje të lartë THC-je në një postë në kryeqytet.

Autoritetet thonë se i arrestuari është një 23-vjeçar italian.

“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve disamujore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Dërgesa”. Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi italian M. M., 23 vjeç, banues në Tiranë”, njofton Policia.

Italiani u kap në flagrancë në një degë postare kur mori kanabisin, rreth 475 gramë kanabis. Dyshimet janë se droga është trafikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për Manuel Morella, i cili rezulton student i Stomatologjisë në një universitet privat në Tiranë.

Siç raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, në momentin e arrestimit, ai është shprehur se nuk e dinte që pakoja kishte drogë, por sipas tij kishte porositur një bluzë. Ndërkohë sasinë e kanabisit që iu gjet në banesë, ai ka thënë se e kishte për përdorim personal. Droga ishte porositur nga SHBA, konkretisht nga Kalifornia.

23 vjeçari, Manuel Morella

Në banesën e të riut, Policia ka sekuestruar po ashtu 442 gramë kanabis, 20 mijë euro dhe 7 celularë. Ky është rasti i 11-të që Antidroga e Tiranës godet trafikimin e kanabisit përmes postës gjatë muajve të fundit.

/tvklan.al