Këto janë momentet kur policia e Tiranës vë në pranga një 24-vjeçar, i cili akuzohet për trafik të lëndëve narkotike. Agjentët e forcave operacionale e pritën të riun sapo doli nga një prej filialeve të postës shqiptare, për ta arrestuar.
Franci Veizaj që shfaqet në këtë foto mori pakon që kishte porositur në SHBA, brenda së cilës më pas u zbulua sasi prej 3.6 kg kanabis me përqindje të lartë THC.
Porosia ishte nisur nga New York me destinacion final Tiranën. Për të kamufluar aktivitetin e paligjshëm porosia ishte bërë për dekor artistik për shtëpi, por që në brendësi kishte kanabisin.
Sasia që u sekuestrua nga policia nëse do të shitej do të kapte vlerën e 50 mijë Eurove.
Deri në këtë fazë hetimesh policia disponon emrin e personit që ka dërguar porosinë, teksa po bashkëpunohet dhe me autoritetet e huaja për të zbërthyer grupin e trafikantëve.
Gjatë dy viteve të fundit trafikantët kanë tentuar të trafikojnë lëndë narkotike nëpërmjet postës për shkak të cilësisë së kanabisit me përqindje të lartë THC. Gjatë 2024 dhe 2025 policia ka goditur 8 raste, të cilat kanë qenë nga SHBA, Kanada dhe Tajlandë.
Klan News