Shtatë persona janë vënë në pranga në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Tranzit”. Uniformat blu kanë njoftuar këtë të shtunë se falë bashkëpunimit mes policisë së Tiranës, asaj të Dibrës dhe Sektorit të Forcës së Posaçme në Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë arrestuar në flagrancë:

E. R., 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale ”Moskallëzim krimi”; P. A., 51 vjeç, banues tek ish-stacioni i Trenit, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim; Sh. M. 51 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë, i dënuar për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”; D. M., 20 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë; F. D., 37 vjeç, banues në Shëngjin; M. P., 32 vjeçe, banuese në Gjirokastër; A. H., 38 vjeç, banues në Lezhë.

Ata akuzohen për “Prodhim dhe shitje narkotikësh në bashkëpunim”.

Si ra në pranga grupi?

Seksioni për hetimin e narkotikëve në Policinë e Tiranës bë bashkëpunim me sektorin e veçantë të Policisë së Shtetit dhe Policinë e Dibrës kishin grumbulluar informacione në rrugë operative se këta persona siguronin kanabis në formë çokollate nga Greqia.

Lëndën narkotike ata e kishin kaluar nga pika e kufirit në Konispol nëpërmjet dy banuesve të Gjirokastrës. Më pas droga do transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për ta nisur më vonë në një qytet në veri të vendit, për ta trafikuar jashtë Shqipërisë.

Gjatë operacionit në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 32.5 kg lëndë narkotike kanabis sativa në formë çokollate, 6 aparate celulare dhe 2 automjete.

Materialet procedurale i kaluan  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim./tvklan.al