Forcat ruse filluan një sulm të madh me dron gjatë natës në rajonin Kharkiv të Ukrainës, duke plagosur të paktën 21 persona. Shërbimet e urgjencës bënë të ditur në aplikacionin e mesazheve Telegram se sulmet shkaktuan katër zjarre në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës dhe postuan fotografi të zjarrfikësve që luftonin me flakët.

Forca ajrore ukrainase rrëzoi 42 nga 86 dronët e nisur nga Rusia gjatë sulmit, ndërsa 26 dronë të tjerë nuk arritën objektivat e tyre.

Guvernatori Oleh Syniehubov tha se sulmi dëmtoi shumë banesa private, një ndërtesë apartamentesh, makina dhe një objekt prodhimi në qytet.

Sulmet vijnë pasi të dyja palët arritën një marrëveshje për të ndalur sulmet e tyre në Detin e Zi dhe kundër objektivave energjetike të njëri-tjetrit, por realiteti në terren tregon se zbatimi i saj është ende shumë larg.

Për këtë çështje, Presidenti Volodymyr Zelensky është i mendimit se Uashingtoni nuk duhet ti heqë sanksionet Rusisë e cila e ka kërkuar diçka të tillë si kusht për një armëpushim në Detin e Zi.

Trump tha se qeveria amerikane po shqyronte kërkesën e Moskës për heqjen e sanksioneve, por BE është kundër kësaj ideje pasi kërkon tërheqjen e trupave ruse.

Klan News