Merr përsipër mobilimin e një kopshti në kryeqytet

Në herën e saj të dytë në Shqipëri Dua Lipa vjen jo vetëm si ylli i muzikës ndërkombëtare, por me petkun e një misioni humanitare. Rrezatuese dhe me një shqipe të admirueshme, Dua Lipa u shpreh përpara gazetareve se projektet e ndërmarra nga fondacioni i saj SunnyHill kanë për qëllim të ndihmojnë të rinjtë shqiptarë.

“Me pa krejt bota që ne jena shumë kreativë, ka rini shumë, na mundemi me u rritë me u ba ma të fortë dhe me ec përpara…”

Edhe pse e rezervuar, Dua pohoi se do të rikthehet me një koncert në Tiranë.  

“Jemi ne diskutime, megjithatë do të doja shumë.”

Pikërisht me fondet e mbledhur nga fushata e organizuar nga fondacioni i Dua Lipës, do të mund të mobilohet kopshti 42 në kryeqytet, i cili po rindërtohet nga e para pas dëmtimeve që mori nga tërmeti i 26 Nëntorit të 2019.

“Dua do të sigurojë që mobilimi, kuzhina, pajisjet, shtretërit e bebeve, Sunny Hill do të mbulohen prej saj.”

Po më tepër projekte zbuloi babai i Duas, njëherësh menaxheri i saj.

“Po shpresojmë që vitin tjetër të kemi një bazë të Sunny Hill Foundation të bazuar edhe në Tiranë dhe kjo mundet të jetë edhe një nga projektet e vitit 2022”.

Më herët e shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, Dua vizitoi kantierin ku po punohet për ndërtimin e kopshtit.

Thjeshtësia e këngëtares me famë botërore nuk kaloi pa u komentuar dhe nga Kryeministri Rama i cili ka patur mundësi të takohej me të në Pallatin e Brigadave.

Foton që postoi, Rama e shoqëroi me komente dhe përshtypjet për Duan, që ai e cilëson si një vajze të mençur, të edukuar e modeste, ‘si të ishte askushi’, siç shkruan.

Me siguri është krenaria e lumturia e prindërve, sipas kryeministrit, “e pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”.

E mbyll postimin e tij për takimin me yllin shqiptaro britanik të muzikës.

Tv Klan