Këngëtarja shqiptare Dua Lipa është padyshim ikona e muzikës. Falë këtij suksesi 22-vjeçarja është përzgjedhur të jetë imazhi i kopertinës së prestigjiozes “Elle” për muajin Maj.

Artikulli dedikuar shqiptares, mban titullin; “E ardhmja e muzikës pop”. Në intervistën që ajo ka dhënë është ndalur tek vlerat e shqiptarëve, tek dashuria dhe mikpritja e tyre, por i ka përcjellë me një sens humori.

 

“Ne kemi një sens të çmendur komuniteti. Njerëzit i dinë punët tuaja përpara se t’i marrësh vesh ti, por gjithmonë tregojnë shumë dashuri”,

u shpreh këngëtarja shqiptare.

 

Nuk mund të mungonte dhe pyetja nëse vërtet shqiptarët janë pjesë e mafias, siç theksohet shpesh në mediat e huaja.

 

Dua u shpreh se të jesh nga Kosova apo Shqipëria gjithmonë do të paragjykohesh. Kjo bazuar tek fakti se gjithmonë shqiptarët kanë pasur role negative sidomos në filma. Por kjo gjë nuk është e vërtetë.

“Po përpiqemi të ndryshojmë atë që njerëzit mendojnë për kombin tonë”,

 u shpreh këngëtarja shqiptare.

Dua është shprehur se ndonëse karrierën e saj e ka krijuar në Londër, ka një dashuri të madhe për atdheun e saj Kosovën, që i ka dhënë formimin e duhur. Me tej ajo foli për projektet e reja muzikore dhe albumin e dytë, i cili është ende duke u përpunuar.

Klan Plus