Këngëtarja Dua Lipa ishte pasditen e kësaj të hëne në në një konferencë për mediat së bashku me  kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ajo do të mbajë në mbrëmje, në sheshin “Skënderbej” koncertin i cili do të jetë i fundit për turin e saj “Future Nostalgia Tour”.

E pyetur nga gazetarët ajo ka thënë se pas mbylljes së turit të saj ajo do të fillojë të merret menjëherë me albumin e saj të tretë, por ka shtuar se këtë e shikon si një periudhë pushimi, pasi nuk do i duhet të jetë më gjatë gjithë kohës në lëvizje.

“Periudhë pushimi nuk kam pasur që prej 7 vitesh më duket, por mendoj se tani, sonte që përfundon turneu, i kam disa muaj intensive në studio për të shkruar dhe për të përfunduar albumin e tretë. Po për mua kjo është periudhë pushimi, sepse jam në një vend, do jem në shtëpi, në Londër. Kështu që për mua është periudhë pushimi”, iu përgjigj Dua Lipa pyetjes së gazetarit nëse tani me përfundimin e turneut gati 2 vjeçar ajo do të merrte pushime./tvklan.al