Deri në këto momente Alvin Berisha është akoma në një hotel në Bejrut. Gazetari Artan Hoxha bëri të ditur nga emisioni “Opinion” në Tv Klan se kthimi i tij do të bëhet ditën e nesërme.

Gjithashtu është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes përfaqësuesve të palës shqiptare dhe asaj italiane në Romë.

Hoxha tregoi në studio një detaj interesant. Alvini ka kërkuar që të vijë në Shqipëri, por leja e kalimit është dhënë për në Romë.

“Kanë marrë një eskortë të milicisë së Libanit dhe i kanë pritur në kufirin me Sirinë, kanë shoqëruar karvanin që vinte nga Damasku. Në momentin që nisëm emisionin djali ishte në hotel. Është lënë për nesër kthimi në Romë. Do ketë një konferencë të përbashkët të dy përfaqësuesve të dy ministrive të Brendshme italiane dhe shqiptare me gjithë fëmijë. Edhe pse në fakt fëmija kur ishte pyetur kishte thënë “dua të shkoj në Tiranë”. Megjithatë leja e kalimit ishte dhënë për në romë. Nesër do kemi një ceremoni të përbashkët të dy vendeve. Besoj kjo ka bërë që udhëtimi është shtyrë për nesër që të bëhet dhe pjesa e PR”, theksoi Hoxha, i cili shtoi se duhet një operacion tjetër për të tërhequr edhe shqiptarët e tjerë që kanë ngelur në Siri. /tvklan.al