8 tetor 2026 – Gersi Troka është i riu i cili së fundmi është diplomuar nga Universiteti i Sporteve të Tiranës, për not, si dhe kampion i artë i Berlinit. Por çfarë e bën atë më të veçantë? Është i pari student me sindromën Down, i cili u diplomua, kjo falë pasionit të tij për notin dhe dashurisë për jetën e forcën për të vijuar më tej.

I ftuar në emisionin “Rudina”, TV Klan, ai kishte vetëm një kërkesë, punësim, çfarëdo qoftë ajo punë, thjesht ta mbante atë të angazhuar.

“Tani jam duke kërkuar për punë. Nuk e kam si synim tamam në çfarë pune, por mendoj ose në kompani, ose si zëvendëstrajner në not”, tha ai.

Por fati duket se ishte në anën e tij. Fidel Ylli, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë me emisionin, dha lajmin e bukur se Troka do të punësohet pranë një biznesi privat.

“Bashkërisht, me Presidentin e Federatës së Notit, zotin Agim Çirakun, ne kemi vajtur, kemi biseduar me pronarin e klubit Stela, në not, që është dhe pronari i birrës Stela, biznesmen, është treguar i gatshëm që Gersi të fillojë punë që nesër në klub”, tha Ylli.

Ky lajm u prit shumë mirë nga notari dhe shprehet falënderues ndaj kësaj mundësie në jetën e tij.

“Jam shumë falënderues se po hyj në një punë të re që nesër”, u shpreh i emocionuar Troka.

/tvklan.al