“Kemi rënë dakord për ta diskutuar më vonë”

Edhe pse kanë rënë dakord për ta diskutuar në një fazë të dytë çështjen e ndryshimit të sistemit elektoral, një pjesë e aleatëve të opozitës nuk heqin dorë nga kjo kërkesë. Republikani Fatmir Mediu dhe kreu i Partisë Agrare Agron Duka thonë se pas adresimit të shqetësimeve për zgjedhje të lira e të ndershme, reforma elektorale duhet të përfshijë edhe çështjen e sistemit elektoral.

“Është kjo taktikë për t’ju shmangur ndryshimit të sistemit, apo realisht do bëhet një gjë, kjo mbetet për tu parë”, shprehet Duka.

“Mund të organizojmë çdo lloj debati për sistemi aktual, si mund të bëhet më funksional, sisteme të tjera që mund të ndikojnë ose jo në shitblerjen e votës”, shprehet Mediu.

Nuk i druhen aspak një marrëveshje Rama- Basha për reformën zgjedhore por kreut të opozitës i kërkojnë në çdo rast transparencë.

“Nëse do të ketë një marrëveshje të tillë, dëmin do ta ketë padyshim opozita, qytetarët dhe vetë Basha, nëse ka një marrëveshje jo transparente. Ne kemi nevojë për transparencë, për marrëdhënie institucionale”, thotë Mediu.

 “Nuk mendoj që ka dakordësi mes dy individëve dhe një nga kushtet e Bundestagut është urdhër për reformën zgjedhore dhe ajo të jetë gjithëpërfshirëse”, deklaron Duka.

Lulzim Bashës i sugjerojnë që të përdorë të gjitha armët përballë qeverisë, duke mos anashkaluar edhe protestat.

“Aksioni opozita është padyshim bashkëpunimi, bashkëbisedimi me qytetarët dhe protestat”, deklaron Mediu.

Të gjitha ato që bëjnë pjesë në një aksion opozitar, që në të ardhmen mund të jenë dhe protestat ndoshta.

Kreu i opozitës Basha pritet të mbledhë më 15 Janar aleatët e tij dhe Ekspertët zgjedhorë që kanë hartuar draftin e opozitës, për të dakordësuar çdo çështje dhe për t’ia dërguar më pas atë partnerëve ndërkombëtarë.

Tv Klan