Shqipëria do të jetë pjesë e një grupi me 3 ekipe në Ligën e Kombeve, aktiviteti i ri që organizohet nga UEFA dhe është një mundësi për tu kualifikuar në Euro 2020.

Shqipëria që garon në Divizionin C, u shortua në Grupin 1 së bashku me Izraelin dhe Skocinë. Përfaqësuesja izraelite ishte kundërshtare e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2018, me të cilën humbëm në Elbasan dhe fituam në Haifa, ndërsa më atë skoceze përballemi për herë të parë. Në këtë grup nuk ka vend për gabime, pasi ndeshjet në dispozicion do të jenë vetëm 4. Më shumë kundërshtarë dëshironte edhe trajneri Christian Panucci.

“Grupi me 3 është më i rrezikshëm, por e pranojmë. Ne do të bëjmë lojën tonë pasi jemi në të njëjtin nivel me Izraelin dhe Skocinë. Kemi të njëjtat shanse.”

Për Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duhet provuar të synohet Europiani edhe me këtë aktivitet.

“Tani duhet të përgatitemi për të luftuar për të qenë të parët e grupit dhe për të shfrytëzuar këtë mundësi për të shkuar në Europian nëpërmjet këtij kompeticioni. Nuk është një gjë e lehtë por jo e pamundur.”

Fituesi i grupit do të ngjitet një divizion më lart, ndërsa vendi i fundit do të zbresë një më poshtë. Vendi i parë në grup do të marrë pjesë në play off e Divizionit C që do të nxjerrë një kampion, që do të shkojë në finalet e Euro 2020, nëse nuk e ka arritur nga kualifikueset. Kosova që është pjesë e Divizionit D, u shortua në Grupin 3 së bashku me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe, Maltën. Ndeshjet e Ligës së Kombeve do të nisin në shtator të këtij viti.

Tv Klan