Paraqitja e Kombëtares në Euro 2024 u vlerësua si pozitive nga presidenti i Federatës, Armand Duka. I ftuar në emisionin Kampionët në Tv Klan, Duka tha se ishte i kënaqur nga ajo që dha skuadra në këtë turne të rëndësishëm edhe pse synimi ishte kualifikimi në fazën me eliminim direkt.

“Paraqitja ishte e mirë, rezultati nuk ishte i mirë. Me më shumë zgjuarsi ose me më pak emocion, mund dhe duhet ta kishim kaluar grupin, megjithëse kishim grupin e vdekjes siç u etiketua. Në total jam i kënaqur pasi nuk jemi rëndom në kompeticione Europiane apo Botërore”.

Nisur nga komentet e bëra, Duka sqaroi pse Broja pati atë aktivizim në ndeshjet e grupeve.

“Broja është një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme që do ta ndihmojë shumë ekipin kombëtar. Dimë që ka kaluar një periudhë të vështirë, pasi pësoi një dëmtim shumë të rëndë dhe është rikthyer, por kaq minuta ka menduar ta aktivizojë trajneri”.

Një temë e nxehtë ishte edhe kontrata e trajnerit Sylvinho që ka përfunduar bashkë me Europianin.

“Ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Besoj se tani së shpejti do e finalizojmë. Do vendosim para se të përfundojë Europiani. Do shkojmë ta shikojmë finalen bashkë. Nëse del një klub i La Ligës dhe i jep 5 milionë euro, e ka hallall. Mancini la Italinë, për lekët”.

Armand Duka bëri edhe renditjen e trajnerëve gjatë periudhës që ai është president i FSHF-së.

“Të parin zgjedh Sylvinho. Ka krijuar atmosferë pozitive në kohë shumë të shkurtër. I dyti është De Biasi, sepse kemi shkuar në Europian me të për herë të parë. Nga pikëpamja taktike, kam respekt të madh për Otto Baric. Zhgënjimi më i madh nga të gjithë trajnerët është Panuçi”.

Duka i dha notën 10 tifozerisë shqiptare për atë që tregoi në rrugët dhe stadiumet në Gjermani.

Tv Klan